“TOKËSORËT NË HAPËSIRË, KOHË…Ç’TRONDITJE”
- Refleksione për një libër të rrallë, me autor Agron Shehun-
Nga: Dr. Arqile Pipa
Cleveland, OH-Kanada
Me mendimin që rrethet letrare, kur punoja për të ushqyer disa gazeta dhe revista me recensa dhe mendime, më klasifikonin si një lexues “rrebel”, me përkulshmëri të ulët, si dhe me dyshimin se a do të më japë kënaqësi dhe çlodhje, si dhe a do të përligjë kohën, që do të marrë, e nisa leximin e librit “Tokësoret në hapësirë-kohë… Ç’tronditje!”, shkruar nga njëri prej shokëve të mi të zgjedhur, Agronit.
Titulli me joshi, se ishte një zgjedhje e goditur… Por, të shkojmë më tej. Që në tri faqet e para, fillova të përjetoja një ndjenjë, që ishte shumë, shumë e veçantë dhe që nuk e kisha përjetuar më parë. Vazhdimi më kërrusi, të ndenjurat m’u “salduan” në karriken rrotulluese. I befasuar dhe njëkohësisht “i ngulur” aty, harrova gjithçka. Në një: “Oh, Oh, ç’po ndodh?”,- u bë aktive mendimi me kërkesën: “Agron, me fal, të paskam njohur pak në këtë fushë, me fal, me fal!”. Këtë falje do të përpiqem ta kthej në reflektim, për të përsosur më tej të përsosurën, detyrë mjaft e vështirë kjo.
Në çast, mendova t’ia dërgoja një e-mail, si refleksion kënaqësie, të bashkuar me përgëzimin, për punën e bërë. Dhe kështu veprova.
Vepra “Tokësoret, në hapësirë-kohë … Ç’tronditje!” e autorit Agron Shehu, nuk është thjesht një roman, sepse më e përgjithshmja, që lexuesit mendojnë për një roman, është një skemë disi klasike e tij, një hyrje me përshkrime dhe njohje personazhesh, lindje zhvillimesh, periudha jo shumë të gjata të lundrimit në ngjarjet, klimaks dhe një rrugë drejtë mbylljes. Pak a shumë, kështu konturohen veprat e këtij lloji.
Por, kjo do të ishte pak për këtë libër, sepse ai udhëton në një histori të 4 milionë viteve. Personazhet dhe meditacioni, përzierjet fantazi-realitet-shkencë janë të jashtëzakonshme, jo të nxjerra nga arkiva, por të ideuar me njohje dhe saktësi të rreptë shkencore. Pronësi të tilla i kanë pak individë.
Analiza dhe gjetje të tilla, si ajo e luftës ndaj gravitetit ose e Zotit në mendjen njerëzore, ideja dhe organizimi i udhëtimit të njëkohshëm në të shkuarën dhe në të ardhmen, “debatet” e personazheve për probleme të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, mënyra e kompozimit dhe fantazia e përdorur , në karakteret pjesëtare të këtij udhëtimi, përfundimet për tokësorët dhe problematikën e tyre, përshkrimet e zhvillimeve dhe nyjet gordiane, që ata duhet të zgjidhin në të ardhmen për vazhdimësinë dhe sigurinë e saj,-përbëjnë një kurore letrare, të një lloji shumë të veçantë, mjaft të lakmuar dhe të arritur nga pak pena të fuqishme të romanit, si vepra letrare më e përhapur dhe më e lexueshme nga njerëzit.
Vepra është shumëplanëshe dhe, të ndërmarrurit e një punë të tillë, kërkon një edukim të tërë jetësor, parë këto si procese, që marrin kohë shumë të gjatë, ndoshta, një jetë nuk do të mjaftonte për t’i arritur ato.
Tjetër, gërshetimi ndërmjet reales dhe imagjinares, të cilat udhëtojnë në hapësirë-kohë; ndërthurjet me energjinë, gravitetin, shpejtësitë dhe shndërrimet, janë ngjizur jashtëzakonisht harmonishëm me personazhet.
Tepër e rrokur është ideja e personazhit të dyzuar në dy qenie, trup-shpirt dhe tjetra mendim, që nuk pranon të bashkëjetojë me shpirtin, në një kafkë. Po kështu, e jashtëzakonshme është gjetja Kuark, Ardi, pasardhësi Glouni dhe anija DreamLiner, si mjeti udhëtues i hapësirave të pafundme.
Personazhet në udhëtim: Higgsi, Kuarku, Ardi janë një kompozim tepër i përsosur, sepse kështu dhe vetëm kështu, autorit i jepet mundësia të ekspozojë ide dhe zhvillime për historinë e jetës në Planetin Tokë.
Abstraksioni i hedhur në vepër, është një tjetër risi, gati e paarritshme, në qoftë se nuk je njohës i mirë i subjekteve dhe disiplinave të shumta, që ndërthuren në vepër. Përshkrimet, gjuha e përdorur nga personazhet me nivele të ndryshme qytetërimesh, dhe gjuha e tretë, e përdorur nga ju si autor, të detyrojnë përjetim, të ngacmojnë dhe eksitojnë fantazinë, të korrigjojnë vetëpërmbajtjen, të detyrojnë që të kthehesh në faqe për t’u freskuar me të shkuarën.
Tjetër e veçantë, në këtë vepër, është klimaksi. Në roman, zakonisht, gjendet vetëm një i tillë. Te libri juaj unë ndesha disa të tillë, pothuaj katër, por e veçanta e tij është se këtu rroken personazhe që përfaqësojnë kohë-hapësirë dhe shpejtësi të ndryshme. Analiza, duke përdorur debatin midis personazheve, është një tjetër risi, që preket bollshëm, në këtë libër. Të tillë, atë e kam gjetur në shkrimtarë të shquar, si te Kadareja, Kafka, Hygo. Por, kjo e gjetur në këtë libër, është e një lloji të veçantë, si mjalti i bletëve të Çajupit, që të tillë e gjen vetëm atje.
Përshkrimet për fillimet e jetës së njeriut në tokë dhe evolucionin e saj, edhe Darvini vetë do ta kishte të vështirë ta stiste kështu. Sepse, informacioni dhe edukimi që ai kishte, vështirë se do ja mundësonin atë.
Një tjetër çast, sa atraktiv dhe çlodhës në lexim, është udhëtimi i Higgsit në planetin Kuark, thellë në Galaksi, ku ai gjen të përsosurën dhe jo luftë për të skllavëruar dhe zhdukur njëri-tjetrin, ku ka vetëm gjelbërim, vetëm ditë dhe njerëz të lumtur. Ajo ç’ka alieni Kuark, në udhëtimin drejt Tokës, u afron bashkëudhtarëve të tij, jep rrugën e zhvillimit të njeriut, duke filluar me mjedisin, veglat dhe mjetet e para të punës, përdorimin e kalit si mjet transporti dhe energjie; përmirësimet e mëtejshme të mjeteve të prodhimit, si makinat me avull etj., si dhe futja në shtjellim e parasë, e konturojnë veprën. Kurse të rejat rreth energjisë dhe gjenizimit i japin asaj lartësi, produkti i së cilës afron një volum të rendit C², ndjerë ky shumë fuqishëm në mbylljen e saj.
Një tjetër gjetje e krijuar është udhëtimi me DreamLiner, ku raporte tokësore dhe jotokësorë zbulojnë zhvillime dhe përpjekje të vazhdueshme të njerëzimit për të progresuar dhe zbuluar misteret e hapësirës së pafundme.
Ballafaqimet Kuark-Higgs, Kuark-Ardi dhe futja në “debat” e Glounit, kanë një zhvillim, ku autori ka investuar shumë dhe ka ekspozuar me bollëk njohjen e tij, për arritjet në kërkim të hapësirës. Në këtë investim, autori ka ndërthurur njohuri nga shkenca, si: fizika, biologja dhe filozofia, të shoqëruara këto me një saktësi të admirueshme.
Ballafaqimet, mbështetur në ngjarje reale të ofruara si imazhe në DreamLiner dhe të veshura me fakte shkencore, rrisin dukshëm thellësinë e analizës dhe të përfundimeve, që autori ka projektuar të arrijë. Jashtëzakonisht bukur, janë futur zhvillime si: Luftërat Botërore ose djegia e bibliotekës së Aleksandrisë, veprimet e Hittit (personazh famëkeq i historisë së gjysmës së parë të shek. XX), zhvillimet HBomB etj.
Pra, forca e vënë në lëvizje nga shpirti pa mendim brenda, afron dhe e bënë të pranishme kataklizmonë, që shkatërron çdo arritje të tokësorëve, për t’u bërë njerëz.
Alternimet e ofruara gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Tokë, midis asaj çka ngjet në planetin Kuark, çka ngjet në të shkuarën në të, të veshur dhe me shembuj të shumtë nga shumë zhvillime të pakëndshme në Tokë, si luftërat botërore, hedhja e bombës atomike, rrëzimi i kullave binjake, gara e armatimeve, si dhe ekspozimi së bashku me to dhe i individëve, që i prodhuan ose u ndihmuan atyre, brilantojnë, jo një ndërtesë të vogël, por një “KALA”, ku tokësorët sot, dhe aq më shumë nesër, mund dhe do të gjejnë një çelës për të programuar dhe investuar për të ardhmen e tyre të sigurt, arritjen dhe vazhdimësinë e jetës në Tokë.
Mesazhi, i gjendur me bollëk në planetin Kuark dhe i evidencuar fuqishëm për mbrojtjen e tokësorëve dhe ruajtjen e planetit të tyre “Blu”, të arritura këto me një rend shoqëror, ku të gjithë të ndihen të lirë, të barabartë, të mirëushqyer dhe të shëndetshëm, e projekton njerëzimin të sigurt, jo vetëm në planetin e tij, por dhe në “hapësira e vendbanime” të reja në hapësirë, parë këto, jo si pushtime, por si një prirje e kërkesës për bashkëjetesë, shkëmbim e mirëkuptim.
Gjuha e përdorur në këtë libër, në kombinim me figurat letrare, përbejnë një tjetër element, ku lexuesi gjen dhe ndjen atë që i nevojitet. Po kështu, vepra, duke kërkuar të jetë në të njëjtin nivel dhe njëkohësisht të dali nga ”beteja” letrare, me ruajtje të ekuilibrave aq të nevojshëm, fiton lartësi të reja, me kulminacion në fundin e saj dhe me vazhdimin e “luftës” për të fituar lartësi, në hapësirat e pafundme.
Gjatë leximit të parë të librit, m’u krijua përshtypja, sikur ndesha në përsëritje të shumta. Për ta vërtetuar saktësinë e këtij përfundimi dhe me dëshirën për t’u ndalur më mirë dhe përjetuar më gjatë disa përshkrime mbresëlënëse, të cilat më ofruan meditacion dhe me larguan gjumin, për disa ditë, iu riktheva dhe e rilexova përsëri. Për saktësi, nuk gjeta përsëritje, por paragrafë të kompletuar më mirë, e drejtë e plotë, kjo, e autorit. Po kështu dhe shumë zhvillime ose fjalëformime të reja, të krijuara nga autori, i rivlerësova të nevojshme, që vepra të arrinte të përmbushte plotësisht qëllimin, objektivin e saj. Për më tepër, do të mendoja, që autori mund të kishte afruar të tjera, të përsosura në shpirt, si Nënë Tereza, që për fatin tonë të madh i përket gjakut tonë shqiptar. Një personazh i tillë, si mendim dhe shpirt së bashku, i kapur në imazhe nga Kuarku, do të ofronte këshilla me vlera të jashtëzakonshme.
Sidoqoftë, duke e respektuar plotësisht të drejtën e autorit, mendoj se zgjedhjet e tij janë shumë të gjetura dhe, për këtë arsye, i vlerësoj maksimalisht ato.
Në këto kushte, a nuk do të ishte pak, që ky libër të emërtohej roman?
Unë mendoj se po. Më e pakta, do të këshilloja një tjetër emërtim, të ngjizur në procesin e leximit të veprës, “HYPER-ROMAN” fantastiko-shkencor, në shërbim të tokësorëve.
Në shenjë mirënjohje, kënaqësie, ndihmese dhe refleksioni, ndjehem i detyruar dhe, natyrshëm, jam duke dalë jashtë kornizave të dhënies së mendimit, sepse një thirrje ma ka pushtuar gjithë qenien time dhe nuk më lejon që të mos e bëhem pjesë e kësaj pune, që ndërmora:
Lexues të nderuar, kudo që ndodheni! Gjeni kohë dhe lexojeni këtë Hyper-Roman; aty ju do të gjeni të shkuarën, të tanishmen dhe të ardhmen e njerëzimit, në hapësirë-kohë. Ju siguroj që do të përjetoni vetëm kënaqësi dhe, mbas leximit të librit, natyrshëm do të ofroni diçka më shumë për t’i shërbyer më shumë jetës suaj dhe gjeneratave, që do të vijnë.
( E dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj-Tiranë )