LIBËR ME MJAFT VLERA DHE NË SHUMË PLANE…
-Prof. Murat Gecaj: “Me zemër në vendlindje” (Shënime nga Suedia)-
IBRAHIM HAJDARMATAJ
-arsimtar e publicist
Para disa ditëve u vu në qarkullim libri , “Me zëmër në vendlindje”, me autor prof. Murat Gecaj, publicist e studiues. Për nga renditja, ky është libri i tij i 11-të, pa përmendur botimet me bashkautorësi. Ato janë kryesisht nga fusha e historisë së arsimit e mendimit pedagogjik shqiptar, por edhe për figura të shquara atdhetare, nga udhëtimet e tij jashtë vendit etj.
Ky libër i ri është venë në qarkullim nga SHB&Shtypshkronja “Edlora”, në Tiranë, nën mbikqyrjen e ing.Vladimir Kallupit dhe me përkujdesjen grafike të Edlira Kames. Redaktor i tij është shkrimtari e publicisti i njohur, Viron Kona. Ai ka bërë edhe një hyrje të shkurtër, me vlerësime tw merituara. Në mbyllje është publikuar një recension nga arsimtari e publiciti durrsak, Kadri Tarelli. Ai, me të drejtë, ka shkruar se, me këtë libër, “një tjetër koleg i yni, është dashuruar me bukurinë e shpirtit suedez”. Është kënëaqësi për mua, që edhe unë jam recensent i këtij libri mbresëlënës.
Që në fillim, autori është shprehur me fjalë nderimi dhe falënderimi për bashkatdhetarin, me banim në Suedi, Sadulla Zendelin (Daja). Më tej, të bie në sy pajisja e librit në fjalë me shumë fotografi shprehëse, të cilat na fusin menjeherë në “botën” e njerëzve, për të cilët flitet e shkruhet. Ata janë kolegë e miq të autorit, shqiptarë e suedezë, me banim në brigjet e Skandinavisë, pra në Mbretërinë e Suedisë. Këtë vend mik e dashamirë të Shqipërisë e Kosovës, ai pati rastin ta vizitonte, në prill të vitit të kaluar, bashkë me kolegët nga Tirana, shkrimtarin e publicistin Viron Kona, gazetaren e moderatoren e Radio-Tiranës, Kozeta Hoxha dhe arsimtaren e publicisten Kadrije Gurmani. Ata ishin ftuar në vendin e vikingëve dhe pikërisht në qytetin Boras, për të marrë pjesë në festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, të revistës dhe radios lokale në gjuhën shqipe, “Dituria”.
Libri është i ndarë në katër pjesë dhe në secilën prej tyre, sikur na “parakalojnë” ngjarje të atyre ditëve, por dhe të mëparshmet e të mëvonshmet; njihemi me shkrimtarë e poetë dhe veprimtarë emigrantë shqiptarë, por dhe me miq të nderuar suedezë. Me një gjuhë të rrjedhëshme letrare, shoqëruar me mjaft fotografi, nga shënimet e skicat e bukura dhe mbresëlënëse, lexuesi mëson për jetën e përditëshme të bashkatdhetarëve tanë, të cilët kanë gjetur përkrahje dhe mbështetje në atë shtet mik e demokratik europian, ndër më socialët në botë.
Në veprimtarinë festive, të zhvilluar në Boras, por edhe gjatë vizitave në këtë qytet e në portin e madh Goteborg, në shkollë e Universitet, në bibliotekë, në muzeun e natyrës dhe kudo, janë shpalosur mbresa të bukura, që na japin një pasqyrë të jetës së emigrantëve shqiptarë dhe të vendësve suedezë. Pra, një vlerë tjetër e këtij libri është, se ai i afron ose sikur i “binjakëzon” më tej vendet tona, që nga shkollat e institucionet kulturore etj. Por, mbi të gjitha, synon t’i bashkojë shpirtërisht banorët e këtyre dy vendeve mike europiane. Një gjë e tillë bëhet e mundur edhe përmes një informacioni të bollshëm, shoqëruar me ngjarje, dëshmi, emra etj.
Si recensionues i këtij botimi, pra njëri nga lexuesit e parë të tij, më kanë tërhequr jo vetëm portretizimi i mjaft njerëzve, mësues e publicistë, nxënës e pedagogë etj., si shqiptarë e suedezë, por edhe disa biseda të zhvilluara. Të tilla janë ato me veprimtaren e njohur për çështjen shqiptare, Qibrije Hoxhën; biznesmenin e suksesshëm dhe njeriun e mirë, Halim Hoti dhe kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Suedi, Hysen Ibrahimi. Përmes tyre lexuesi mëson jo vetëm për përpjekjet e emigrantëve tanë për t’u përshtatur me jetën suedeze, por dhe për mikpritjen e ndihmën e pakursyer, që u kanë dhënë atyre vendësit. E, megjithëse ata jetojnë e punojnë qindra e mijëra kilometra larg vendlindjes së tyre, atë e kanë përherë në mendje e në zemër dhe mbajnë gjithnjë lidhje të vazhdueshme, me familjarët dhe të afërmit, me miq e dashamirë.
Gjatë leximit të librit, ndiejmë kënaqësi të veçantë, kur njihemi nga afër edhe me arsimtarin veteran, studiuesin e botuesin e palodhur, Sadulla Zendeli, të cilin të gjithë bashkatdhetarët atje e thërrasin me nderim e respekt, “Dajë”. Ai, tashmë, është edhe koleg e mik i afërt i autorit, gjë që dëshmohet mirë, si në shkrime dhe fotot e librit. Bashkë ata janë njohur, së pari, në Tiranë dhe pastaj takimet i kanë vijuar në Boras, Durrës etj. Por janë edhe mjaft kolegë e miq të tjerë, që ai përmendë, me nderim e shumë respekt në këtë libër, si: Sokol Demakun e Bahtir Latifin, Zyrafete Kryeziun-Manaj, Fetah Bahtirin, Hakif Jasharin, Remzi Bashën, Lale Shipolin, Bedri Pacin, Vjollca Haradinajn, Rizah Sheqirin, Hamit Gurgurin, Sanije Selmanin, Ismet e Mejreme Hasanin, Dinore Loshin-Qmaga, Murat Kocin etj.
Me këto ndjenja dashamirësie, autori prof. M.Gecaj ka shkruar edhe për albanologun e mik i shqiptarëve, Ullmar Kvik; për drejtorin e shkollës Fjërdingskolan, Per Ketissen dhe për mësueset suedeze,_Sonja Persson e Anette Ekelund, të cilët kanë qenë disa herë në Shqipëri; por dhe për Lash Erikolson e Monika Rundgren; për kryetarin e Komunës së Borasit, Per-Olof Hëg; për drejtoreshën e bibliotekës aty, Ana-Karin Albertson: për mikun e shqiptarëve, Anders Vessman etj.
Vëmendjen e lexuesit, në këtë libër, e tërheqin edhe shumë mesazhe të shkëmbyera me miq e kolegë shqiptarë në Suedi. Se, disa pre tyre, ai i takoi me kënaqësi e dashamirësi edhe në festimet e 100-vjetorit të Shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë. Së bashku, ata u pritën dhe biseduan me Kryeministrin, prof.dr. Sali Berisha.
Thënë me pak fjalë, ky libër i ri i prof. Murat Gecaj është një arritje tjetër e tij në fushën e krijimeve e botimeve. Njëkohësisht, përmes tij, jepet një ndihmesë shumë e vlefshme për ata lexues, që dëshirojnë ta njohin nga afër Suedinë, ku jeton një popull mik i vendit tonë dhe ku emigrantët shqiptarë kanë gjetur mikpritje, dashamirësi e zemërgjerësi, duke u përshtatur me vendësit dhe duke ndërtuar një jetë të mirë e të begatshme. Prandaj dhe mirënjohja jonë për ata është e pakufishme, siç përcillet edhe si mesazh, përmes të gjitha faqeve të ketij libri të bukur.
Zogaj-Tropojë, mars 2013